Investimet në energji, ERE i kërkon OST planin 2026-2035, tarifa do vlerësohet sipas shpenzimeve
Enti Rregullator i Energjisë ka kërkuar që Operatori i Sistemit të Transmetimit të përgatisë planin e ri 10 vjeçar 2026-2035 të investimeve.
Kërkesa e Entit është pjesë e vendimit që lidhet me një plan më afatshkurtër siç është ai për periudhën rregullator 2025-2027 ku në fuqi mbetet tarifa 0.85 lekë/kWh e cila gjykohet se mbulon nevojat që kompania kishte sa i takon shpenzimeve të saj.
Nga ana e kompanisë së transmetimit u paraqit disa herë një variant i rishikuar i këtij plani duke argumentuar se kjo bëhej për qëllim rifreskimi të të dhënave por duket se së fundmi Enti ka kërkuar që rishikimi të bëhet në një plan të plotë 10 vjeçar duke qenë se paraardhësi është mbyllur tashmë.
“ERE, me shkresat nr. 1907 prot., datë 19.06.2025 dhe nr. 1907/1 prot., datë 15.09.2025, i ka kërkuar OST sh.a. depozitimin pa vonesë të Planit të Zhvillimit të Rrjetit të Transmetimit për periudhën 2026–2035, ku përfshihen edhe investimet e planifikuara për vitet 2026 dhe 2027. – Bordi i ERE me vendimin nr. 279, datë 16.12.2024 vendosi mbi miratimin e tarifës së shërbimit të transmetimit të energjisë elektrike për periudhën rregullatore 1 Janar 2025 – 31 Dhjetor 2027, prej 0.85 lekë/kWh” thuhet në parashtrimin e Entit.
Ky rregullator nënvizon se në rast se shpenzimet kapitale të projekteve kanë ndryshuar atëherë ato do të mbahen parasysh gjatë vlerësimit të tarifës së transmetimit.
“Në rast se projektet e planifikuara nga OST sh.a., për periudhën rregullatore 2025 – 2027, të marra në konsideratë nga ERE në përcaktimin e tarifës së transmetimit, të miratuar me vendimin e bordit nr. 279, datë 16.12.2024, do të kenë ndryshime nga sa propozuar nga shoqëria OST sh.a., ERE do të konsiderojë rishikimin e CAPEX lidhur me investimet që priten të realizohen nga OST sh.a., në periudhën pasardhëse” thuhet në vendim.
Në këtë kontekst Enti ka kërkuar që OST të paraqesë planin e saj afatgjatë brenda dhjetorit të vitit të ardhshëm ku do të parashikohen saktësisht edhe investimet e planifikuara për vitet 2026 dhe 2027 për të cilat është në fuqi edhe tarifa 0.85 lekë/kWh.